Banka Botërore pret ngadalësim të ekonomisë shqiptare, rritja në 3.4 për qind këtë vit
Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4 për qind në vitin 2026, duke u ngadalësuar nga 3.7 për qind në vitin e kaluar, sipas parashikimeve të fundit të Bankës Botërore.

Për vitin 2027 parashikohet një përshpejtim në 3.6 për qind dhe në vitin 2028 rritja pritet të arrijë në 3.7 për qind.
Në raportin “Përditësimi Ekonomik për Europën dhe Azinë Qendrore – Tetor 2026: Ta bëjmë Inteligjencën Artificiale të funksionojë: Punësimi, bizneset dhe produktiviteti”, Banka Botërore e rendit Shqipërinë mes ekonomive me ritmet më të larta të rritjes në Ballkanin Perëndimor gjatë këtij viti.
Kosova parashikohet të rritet me 3.6 për qind, Shqipëria me 3.4 për qind, Mali i Zi me 3.3 për qind, Maqedonia e Veriut me 3.2 për qind dhe Serbia me 3.1 për qind. Për Bosnjë-Hercegovinën parashikohet një rritje prej 2.4 për qind.
Turizmi dhe ndërtimi mbështesin ekonominë shqiptare
Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 3.1 për qind në vitin 2026, nga 2.6 për qind në 2025. Konsumi i qëndrueshëm dhe impulsi më i fortë fiskal në disa vende po mbështesin aktivitetin, ndërsa çmimet më të larta të energjisë, kërkesa më e dobët nga Bashkimi Europian dhe dobësia e industrisë prodhuese po frenojnë besimin dhe investimet. Në disa vende, pasiguria politike ka ndikuar gjithashtu te investimet private dhe reformat e lidhura me integrimin europian.
Për vitet 2027-2028, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të arrijë mesatarisht në 3.4 për qind, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, investimet publike, turizmi dhe përmirësimi i eksporteve. Në Shqipëri, turizmi dhe ndërtimi pritet të vijojnë të jenë ndër sektorët mbështetës të aktivitetit ekonomik.
Raporti evidenton edhe rritjen e ardhjeve turistike në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, pavarësisht kostove më të larta të transportit dhe punës dhe problemeve që lidhen me udhëtimet ndërkombëtare. Në tregun e punës, Banka Botërore vëren se papunësia ka rënë në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Turqi gjatë vitit 2026.
Shqipëria mes vendeve me përparim në reforma
Shqipëria përmendet së bashku me Moldavinë dhe Malin e Zi mes vendeve që kanë avancuar më shumë me reformat e lidhura me integrimin në Bashkimin Europian. Sipas raportit, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë forcuar gjithashtu institucionet fiskale, ndërsa ndër masat e ndërmarra në Shqipëri përmenden financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe reforma në tatimin e pronës.
Në klimën e biznesit, Shqipëria dhe Polonia përmenden si vende ku licencat e operimit mund të lëshohen brenda tre ditëve. Banka Botërore nënvizon nevojën për dixhitalizimin e regjistrimit të kompanive, përshpejtimin e procedurave të licencimit dhe lejeve të ndërtimit, si dhe modernizimin e procedurave të falimentimit.
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut veçohen edhe për procedurat kufitare, ku zhdoganimi i eksporteve kryhet mesatarisht brenda rreth një dite. Rekomandimet përfshijnë zgjerimin e sistemeve “single window”, përshpejtimin e procedurave kufitare dhe përmirësimin e aksesit të bizneseve në informacionin tregtar.
Raporti përmend edhe masat e Shqipërisë ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, duke evidentuar përdorimin gjatë vitit 2026 të kufizimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, ndërsa vende të tjera të rajonit kanë përdorur ulje të akcizave, subvencione dhe masa të tjera lehtësuese.
Rreziqet mbeten në kahun negativ
Në nivelin e Europës dhe Azisë Qendrore, Banka Botërore pret që rritja ekonomike të ngadalësohet në 2.2 për qind në vitin 2026, nga 2.6 për qind në 2025. Duke përjashtuar Rusinë, rritja parashikohet në 3 për qind, nga 3.7 për qind një vit më parë. Ngadalësimi lidhet me çmimet më të larta të energjisë së importuar, pasigurinë, rritjen më të dobët në Bashkimin Europian dhe presionet konkurruese.
Investimet publike në energji dhe transport, së bashku me përdorimin e fondeve të BE-së, po mbështesin aktivitetin, ndërsa investimet private po frenohen nga tensionet gjeopolitike, kostot më të larta të energjisë dhe kushtet më të shtrënguara të financimit.
Banka Botërore paralajmëron se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të mbajë të larta çmimet e energjisë, transportit, ushqimeve dhe plehrave kimike. Rreziqe të tjera lidhen me ndërprerjet e furnizimit me naftë dhe gaz, eksportet e drithërave nga Deti i Zi, kushtet globale të financimit, fragmentimin e tregtisë, rritjen e borxhit dhe dobësimin e ekonomive të partnerëve kryesorë tregtarë.
Raporti evidenton gjithashtu rreziqet nga moti ekstrem për transportin, energjinë dhe prodhimin bujqësor, ndërsa rritja e produktivitetit, mungesa e fuqisë punëtore dhe plakja e popullsisë mbeten ndër sfidat kryesore afatmesme për ekonomitë e rajonit.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)